Kryebashkiaku Kreshnik Hajdari inspekton nisjen e punimeve për rikualifikimin e rrugëve në lagjen “11 Janari”.
Kanë nisur punimet për fazën e parë të rikualifikimit të rrugëve në lagjen “11 Janari” të qytetit të Kuçovës. Investimi, i financuar nga të ardhurat e Bashkisë Kuçovë, synon përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe lehtësimin e lëvizjes për banorët e zonës.
Nisja e punimeve u inspektua nga kryebashkiaku Kreshnik Hajdari, i cili ndoqi nga afër ecurinë e projektit në terren. Rikualifikimi përfshin rrugët Brisqe, Dajko, Ismail Qemali, Sul Bega dhe Mafuz Laze, të cilat do të rehabilitohen për t’u ofruar banorëve kushte më të mira qarkullimi dhe një infrastrukturë sipas standardeve.
Punimet parashikojnë ndërhyrje në trupin e rrugëve, sistemimin e tyre dhe përmirësimin e kushteve të lëvizjes si për automjetet, ashtu edhe për këmbësorët. Banorët e kësaj lagjeje pritet të përfitojnë nga një infrastrukturë më funksionale dhe më e sigurt, ndërsa investimi do të ndikojë edhe në përmirësimin e pamjes urbane të zonës.
Ky është një tjetër projekt që po zbatohet nga Bashkia Kuçovë në kuadër të investimeve me fondet e veta, me synimin për të vijuar transformimin e lagjeve të qytetit dhe njësive administrative. Puna në terren pritet të vazhdojë edhe me projekte të tjera infrastrukturore, duke i dhënë përparësi zonave që kanë më shumë nevojë për ndërhyrje.