Liqeni i Shkodrës hyn në një fazë të re ndërhyrjesh për mbrojtjen dhe restaurimin e ekosistemit të tij. ETMI, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, ka nisur zbatimin e projektit LAKE-CARE, “Aksione Komunitare në Liqenin e Shkodrës për restaurim dhe një ekosistem të shëndetshëm”.
Projekti është pjesë e nismës #EuroLakes dhe financohet nga Bashkimi Evropian. Ai do të zbatohet në pjesën shqiptare të Liqenit të Shkodrës, me synim përmirësimin e statusit ekologjik të tij dhe krijimin e një modeli të qëndrueshëm e të replikueshëm për restaurimin e liqeneve në Evropë.
Në fokus janë zgjidhjet e bazuara në natyrë, që synojnë mbrojtjen e biodiversitetit dhe përmirësimin e cilësisë së ujit. Përmes bashkëpunimit mes institucioneve, ekspertëve dhe komunitetit, projekti parashikon krijimin e një Komuniteti Praktike, ku aktorët lokalë do të bashkohen rreth një vizioni të përbashkët për të ardhmen e liqenit.
Një tjetër element i rëndësishëm është monitorimi i rregullt i cilësisë së ujit, ndërsa do të ndërmerren edhe masa për restaurimin e habitateve, krijimin e shtigjeve eko-turistike dhe pikave të vëzhgimit të shpendëve.
Përmes zhvillimit të eko-turizmit, LAKE-CARE synon gjithashtu të krijojë mundësi të reja dhe të rrisë të ardhurat për komunitetet lokale.
Një projekt që synon ta kthejë mbrojtjen e Liqenit të Shkodrës në një mundësi konkrete për natyrën, komunitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës.