KALAJA e GJIROKASTRËS, E PUSHTUAR NGA BIMËSIA E EGËR.

Kalaja e Gjirokastrës, një prej simboleve më të rëndësishme të qytetit dhe një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë kulturore shqiptare, po përballet me një situatë shqetësuese.

Bimësia e egër ka pushtuar hapësirat e kalasë, duke krijuar një pamje të rëndë dhe duke ngritur pikëpyetje serioze për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e këtij monumenti.

Në pjesë të ndryshme të mureve rrethuese, shkurret dhe pemët janë rritur pa kontroll, ndërsa mungesa e krasitjes dhe ndërhyrjeve të vazhdueshme rrezikon të ndikojë edhe në strukturën e mureve shekullore.

Pamja ballore e kalasë, ajo që përshëndet çdo ditë mijëra vizitorë dhe që është një prej imazheve më të njohura të Gjirokastrës, është mbuluar nga bimësia. Prej kohësh, sipas banorëve dhe vizitorëve, nuk është parë një ndërhyrje serioze për pastrimin dhe mirëmbajtjen e saj.

Bimësia e dendur përbën një shqetësim edhe për sigurinë e kalimtarëve dhe vizitorëve. Në rast të një zjarri, rreziku do të ishte edhe më i madh, me pasoja potencialisht të rënda për një pasuri historike të këtij niveli.

Dhe pyetja që ngrihet është e thjeshtë: ku shkojnë të ardhurat që gjeneron kjo kala?

Kalaja e Gjirokastrës sjell çdo vit të ardhura të konsiderueshme nga vizitorët, që kapin shifra prej mbi gjysmë milioni eurosh. Atëherë, përse një pjesë e këtyre të ardhurave nuk rikthehet në mirëmbajtjen dhe ruajtjen e saj?

Përse institucionet përgjegjëse, Bashkia apo Ministria e Kulturës, nuk ndërhyjnë për t’i rikthyer kalasë pamjen dhe dinjitetin që meriton?

Një tjetër problem është ndriçimi. Në vend të një monumenti madhështor që ndriçon mbrëmjet e Gjirokastrës, sot në shumë pjesë të saj mbizotëron errësira dhe një sistem ndriçimi që kërkon ndërhyrje urgjente.

Kalaja nuk është thjesht një ndërtesë e vjetër por është historia, identiteti dhe krenaria e Gjirokastrës.

Dhe një pasuri e tillë nuk kërkon më shumë justifikime, por kujdes, investim dhe përgjegjësi.

Kalaja kërkon të ruhet, jo të lihet në harresë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033