Në qytetin e Beratit, një ditë më parë, u zhvillua një takim me fokus organizimin dhe forcimin e pranisë së strukturave në territor.
Takimi u drejtua nga ministri i Pushtetit Vendor dhe drejtuesi politik i Qarkut Berat, Ervin Demo, në prani të deputetëve të qarkut dhe pesë kryetarëve të bashkive, mes tyre edhe kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari.
Në qendër të diskutimeve ishte organizimi i punës në territor dhe forcimi i komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, përmes asaj që u cilësua si “Prania Besnike”.
Gjatë fjalës së tij, Ervin Demo theksoi rëndësinë që institucionet të jenë sa më pranë qytetarëve, duke i dëgjuar dhe adresuar problematikat e tyre.
“Prania Besnike nuk është thjesht një mënyrë organizimi. Është mënyra jonë për të qenë çdo ditë pranë qytetarëve, për t’i dëgjuar dhe për t’u shërbyer me përgjegjësi”, u shpreh Demo.
Sipas tij, kjo qasje përbën një përgjegjësi të përbashkët dhe njëkohësisht forcën e skuadrës në terren.
“Kjo është përgjegjësia jonë. Është forca e skuadrës sonë. Dhe, mbi të gjitha, kjo është BESA që u kemi dhënë qytetarëve të Beratit”, deklaroi Ervin Demo.
Takimi shërbeu si një pikënisje për koordinimin e mëtejshëm të punës në territor, me synimin që përfaqësuesit vendorë dhe strukturat politike të jenë më pranë komunitetit dhe nevojave të tij.