Pas tensioneve dhe bllokimit për rreth katër orë të foltores së Kuvendit nga opozita, deputetët u mblodhën në seancën e pasdites për të votuar disa nga çështjet e rendit të ditës, mes tyre edhe projektligjin për amnistinë penale.
Në seancë mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa amnistia penale u miratua me 84 vota pro, duke siguruar shumicën e cilësuar të nevojshme për kalimin e saj.
Sipas të dhënave zyrtare, nga kjo amnisti do të përfitojnë menjëherë 466 persona të dënuar, të cilët do të lirohen nga institucionet e vuajtjes së dënimit. Mes tyre janë 11 gra dhe një i mitur.
Ndërkohë, 869 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Në këtë kategori përfshihen 8 gra dhe një i mitur.
Amnistia parashikon lirimin e menjëhershëm të burrave që deri më 31 maj 2026 janë dënuar me vendim të formës së prerë me deri në 3 vite burg, ose atyre që u kanë mbetur për të vuajtur deri në 3 vite dënim.
Po ashtu, do të përfitojnë edhe gratë që deri në të njëjtën datë janë dënuar ose u ka mbetur pa vuajtur deri në 4 vite burg.
Autoritetet pritet të nisin menjëherë procedurat për zbatimin e ligjit, ndërsa institucionet penitenciare do të verifikojnë dosjet e të dënuarve që plotësojnë kriteret për përfitim nga amnistia.
Kuvendi miraton amnistinë penale, 466 të dënuar lirohen menjëherë nga burgjet
Ndaj Postimin: