Këtë të shtunë, emisioni “Personazhe në Fokus” ju fton në një udhëtim të veçantë në Kuçovë, aty ku arti i kinematografisë, kultura, tradita dhe historia ndërthuren në një rrëfim të vetëm.
Për herë të parë, Kuçova hapi dyert e një ngjarjeje që e vendosi në hartën e kinematografisë ndërkombëtare: Festivalit të Parë Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur, të zhvilluar në ambientet e kinemasë “Kadri Roshi”.
Për gjashtë ditë e net, kineastë, regjisorë dhe artistë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës u bënë pjesë e këtij takimi, duke sjellë përmes filmit histori, emocione dhe kultura të ndryshme. Një rrugëtim i ri për Kuçovën, ku arti bëhet urë lidhëse mes njerëzve dhe vendeve.
Por kjo e shtunë sjell në ekran edhe një tjetër pasuri të kësaj treve. Panairin “Festa e Ullirit”, ku prodhimet vendase, agrokultura, tradita dhe historia marrin jetë përmes këngës, valles dhe mikpritjes kuçovare.
Një hapësirë ku prodhuesit, qytetarët, artistët dhe të ftuarit e festivalit u bënë pjesë e një feste që promovon identitetin kombëtar, vlerat e trashëguara dhe resurset turistike të zonës.
Ideatori i festivalit, kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, sjell në “Personazhe në Fokus” rrugëtimin e këtij projekti, nga ideja e parë deri në realizimin e tij, së bashku me stafin që kontribuoi në këtë nismë të re kulturore.
Të gjitha këto momente vijnë përmes kamerës së TV Apollon dhe gazetarit Ndriçim Gjoshit, në një emision që bashkon artin, kulturën, traditën dhe historinë e qytetit të naftëtarëve.
Mos e humbisni këtë të shtunë, në orën 21:00, vetëm në TV Apollon!
Kuçova në fokus, aty ku filmi tregon histori, tradita ruan rrënjët dhe kultura ndërton ura mes botës.