“Kozarja n’Festë”
Në Taverna Devolli, pranë fshatit Kozare, Bashkia Kuçovë, nën kujdesin e veçantë të Bashkisë Kuçovë dhe të kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, si edhe nën kujdesin e Drejtorisë së Kulturës dhe Rinisë, u organizua panairi “Kozarja n’Festë”.
Ky panair mblodhi fermerët e zonës, të cilët prezantuan produktet bujqësore më karakteristike të krahinës. Stendat ishin të mbushura me gatime tradicionale dhe kulinari të veçantë, duke sjellë për vizitorët shijet dhe traditat më të mira të zonës së Kozarës.
Pjesë e panairit u bënë gjithashtu ekspozita me piktura, këngëtarë të ftuar, si dhe grupi i këngëve dhe valleve popullore të zonës, të cilët sollën atmosferë festive, gëzim dhe trashëgiminë kulturore të krahinës.
Aktivitete të tilla jo vetëm që shprehin mbështetjen institucionale për fermerët dhe artizanët lokalë, por njëkohësisht mbajnë gjallë traditat dhe historinë kulturore, duke ia përcjellë ato brezave.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i cili falënderoi fermerët për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre në sjelljen e produkteve dhe gatimeve tradicionale, duke ruajtur identitetin dhe historinë e zonës.