Korça u mbulua nga magjia e Festivalit Ndërkombëtar të Bandave Frymore AIR BEAT FESTIVAL – LuluFest, një aktivitet që solli muzikë, ritëm dhe emocione në zemër të qytetit.
Sheshi qendror u mbush me qytetarë dhe turistë, të cilët ndoqën me interes performancat e bandave frymore. Artistët sollën një spektakël plot ngjyra, me interpretime dhe parada artistike që u shoqëruan me duartrokitje dhe një atmosferë festive.
Pjesëmarrës nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës interpretuan një repertor të larmishëm, duke i dhënë qytetit një atmosferë ndërkombëtare dhe duke e kthyer Korçën në një skenë të hapur të muzikës frymore.
Në këto ditë të nxehta vere, qyteti mirëpret çdo ditë vizitorë vendas dhe të huaj, festivali u shndërrua në një tjetër atraksion kulturor, duke promovuar jo vetëm artin dhe traditën, por edhe turizmin. Pjesëmarrja e madhe e publikut tregoi edhe një herë interesin për aktivitete që pasurojnë jetën kulturore të qytetit.
Aktiviteti vijojë me parada dhe koncerte të tjera, ndërsa organizatorët synojnë që AIR BEAT FESTIVAL – LuluFest të kthehet në një traditë të përvitshme me pjesëmarrje ndërkombëtare.
Festivali u organizua nga Bashkia Korçë dhe Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë, duke e vendosur qytetin në hartën e aktiviteteve të rëndësishme kulturore të sezonit veror.