Ministri i Jashtëm i Izraelit deklaron interes për normalizim me fqinjët, por thekson se Golani mbetet pjesë e shtetit izraelit
Izraeli ka shprehur synimin për të vendosur marrëdhënie diplomatike me Sirinë dhe Libanin, dy nga armiqtë historikë të shtetit hebre. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, deklaroi të hënën se Izraeli dëshiron të zgjerojë “rrethin e paqes”, por bëri të qartë se statusi i Rrafshnaltës së Golanit nuk është i diskutueshëm.
Sipas Saar, dobësimi i Iranit pas përplasjes së fundit 12-ditore ka krijuar një klimë të re në rajon për lidhje të reja diplomatike. Ai theksoi se normalizimi me Sirinë dhe Libanin do të përforconte sigurinë izraelite dhe do të forconte paqen rajonale.
Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni dhe Maroku pranuan të lidhin marrëdhënie me Izraelin, duke iu bashkuar Egjiptit dhe Jordanisë. Megjithatë, marrëveshjet hasën në kundërshtim të gjerë nga opinioni publik në botën arabe.
“Ne synojmë që Siria dhe Libani të bëhen pjesë e këtij rrethi paqeje, duke respektuar interesat tona jetike të sigurisë”, tha Saar në një konferencë në Jerusalem. Ai shtoi se Rrafshnalta e Golanit “do të mbetet përgjithmonë pjesë e Izraelit”.
Izraeli e pushtoi këtë territor nga Siria gjatë Luftës Gjashtëditore më 1967 dhe e aneksoi atë më 1981 – një veprim që nuk është njohur nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Megjithatë, gjatë mandatit të tij, Donald Trump njohu zyrtarisht sovranitetin izraelit mbi Golanin.
Një zyrtar sirian deklaroi për mediat, në kushte anonimiteti, se Siria nuk do të heqë kurrë dorë nga Golani, të cilin e konsideron tokë të patjetërsueshme kombëtare. Ai këmbënguli se çdo përpjekje për normalizim duhet të bazohet në Nismën Arabe për Paqe të vitit 2002.
Kjo nismë kërkon që Izraeli të tërhiqet nga territoret e pushtuara – përfshirë Golanin, Gazën dhe Bregun Perëndimor – si kusht për njohjen e tij nga vendet arabe, dhe parashikon krijimin e një shteti të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
Arabia Saudite ka përsëritur këtë qëndrim gjatë luftës në Gaza, duke theksuar se marrëdhëniet me Izraelin janë të lidhura ngushtë me çështjen palestineze. Por Gideon Saar e ka hedhur poshtë këtë qasje si “jokonstruktive”, duke deklaruar se “një shtet palestinez do të rrezikonte sigurinë e Izraelit”.