Berisha në Porto: zëri i opozitës në arenën ndërkombëtare për zgjedhje të lira në Shqipëri

Berisha denoncon në Asamblenë e OSBE zgjedhjet e 11 majit si farsë elektorale, kërkon mbështetje për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri

Në qytetin e Portos në Portugali, gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër ndaj realitetit politik në Shqipëri. I shoqëruar nga një delegacion i opozitës, Berisha kërkoi mbështetje ndërkombëtare për rivendosjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.

Ai informoi pjesëmarrësit mbi procesin zgjedhor të 11 majit 2025, të cilin e cilësoi si “një farsë të paralajmëruar”. Sipas tij, raportet e hartuar nga OSBE-ODIHR dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë dëshmojnë për një proces të manipuluar nga strukturat shtetërore në favor të partisë në pushtet. Berisha theksoi se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë të frikës dhe abuzimit me institucionet.

Në fjalimin e tij, Berisha përdori termin “narkodiktaturë” për të përshkruar regjimin aktual në Shqipëri. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për lidhje të hapura me kartelet e drogës dhe për kthimin e vendit në një sistem ku nuk respektohet asnjë ligj apo parim. Sipas tij, lejet për mbjelljen e mijëra hektarëve kanabis janë shembulli më flagrant i shkrirjes së shtetit me krimin e organizuar.

Ai vuri në dukje përfshirjen e drejtëpërdrejtë të karteleve në fushatën zgjedhore, duke përmendur emra konkretë si karteli Troplini/Poja në Durrës apo Çela në Elbasan. Këto grupe, sipas tij, kontrollojnë poste kyçe në administratë dhe diktojnë rezultatin zgjedhor në disa zona të vendit.

Berisha akuzoi qeverinë për arrestimin politik të liderëve të opozitës dhe për shkelje flagrante të të drejtave politike, përfshirë detyrimin e punonjësve publikë për të siguruar vota për Partinë Socialiste. Ai denoncoi edhe manipulimin e votës përmes patronazhistëve dhe përdorimin e administratës për qëllime elektorale.

Duke iu referuar raportit të ODIHR-it, ai tha se partia dhe shteti u shkrinë në një, duke përmendur shembuj konkretë të abuzimeve me legalizimet, certifikatat e pronësisë dhe shërbimet publike vetëm pak ditë para zgjedhjeve. Në këtë kontekst, ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve nuk mund të konsiderohet legjitim.

Në përfundim të fjalës, Berisha bëri një apel të qartë: të ndihmohet populli shqiptar për të votuar i lirë. Ai theksoi se pa një qeveri teknike nuk mund të zhvillohen zgjedhje të ndershme dhe kërkoi nga OSBE mbështetje për rekomandimet e papërmbushura të ODIHR-it, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të ardhmen demokratike të Shqipërisë.

Ndaj Postimin: