Degët e thyera nga era shkaktuan një zjarr të madh në Balaj, duke përfshirë ullishte dhe duke rrezikuar banesat, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga OSSHE
Një zjarr i madh përfshiu një zonë të gjerë me ullishte dhe shkurre në fshatin Balaj të bashkisë Lushnje, pas rrëzimit të degëve të pemëve mbi linjat elektrike, raporton gazetarja Mukades Dervishi. Era e fortë ndihmoi përhapjen e flakëve, ndërsa banorët ndërhynë menjëherë duke përdorur ujin e pompave që përdorin për vaditjen e tokave.
Fatmirësisht, falë reagimit të shpejtë të komunitetit, u arrit të shmangej përhapja e zjarrit drejt banesave. Por rreziku i përhershëm qëndron. Më shumë se 50 familje në këtë zonë kanë investuar vetë për ndërtimin e linjës elektrike dhe shtyllave metalike që prej gati 20 vitesh, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga OSSHE.
Banorët shprehen se zjarret janë bërë një fenomen i përsëritur çdo verë, si pasojë e linjës elektrike të amortizuar. Ata thonë se në çdo sezon të nxehtë përballen me të njëjtin skenar, ku energjia elektrike, në vend që të jetë një burim zhvillimi, kthehet në burim rreziku për jetën dhe pronën.
Përveç dëmeve në ullishta dhe kultura bujqësore, rreziku më i madh është ai për jetën. Telat që bien përtokë gjatë stuhive mund të shkaktojnë tragjedi nëse bien në kontakt me njerëz ose bagëti. Në mungesë të ndërhyrjes shtetërore, fshati është lënë në mëshirë të fatit.
Banorët apelojnë për ndihmë nga pushteti vendor dhe kërkojnë investime konkrete nga OSSHE në zonën e tyre. Ata theksojnë se nuk po kërkojnë ndihma sociale, por një shërbim bazë dhe të sigurt, për të shmangur katastrofa të përsëritura dhe për të ruajtur jetën dhe punën e tyre.
“Ne nuk kemi nevojë për premtime politike,” shprehet një prej banorëve. “Duam vetëm që linja elektrike të jetë e sigurt dhe të mos djegë pronat tona çdo vit.” Situata në Balaj është kthyer në një alarm që kërkon reagim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm.