Greqi, Mashtruan qytetarët, dy organizata kriminale shpërbëhen, shtatë persona të arrestuar

Dy organizata kriminale që mashtronin qytetarët, duke i shkaktuar atyre një humbje prej rreth 630,000 eurosh, janë shpërbërë pas hetimeve intensive të policisë.

Një operacion i madh nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Agrinio ka çuar në arrestimin e shtatë personave të dy grupeve të përfshira, të cilët kryenin mashtrime në shumë zona të Greqisë, si dhe në Qipro. Hetimet kanë zbuluar gjithsej 120 raste mashtrimesh, të cilat kishin përfshirë qytetarë të ndryshëm dhe kishin shkaktuar humbje financiare të konsiderueshme.

Në operacionin e zhvilluar në zonat e Atikës, Korinthit dhe Kalamatës, janë arrestuar gjashtë anëtarë të një organizate dhe një tjetër nga grupi i dytë. Përveç arrestimeve, autoritetet identifikuan të dhënat e 13 anëtarëve të tjerë të dy grupeve, si dhe të 20 individëve që kishin bashkëpunuar me këto organizata kriminale.

Sipas hetimeve, dy grupet e krimit kishin vepruar që nga gushti i vitit 2024 dhe kishin realizuar një seri mashtrimesh që përfshinin zona të ndryshme, si Aitoloakarnania, Mesini, Beoti, Selanik, dhe Korfuz, ndër të tjera. Në këto zona, ata kishin fituar mbi 465,000 euro nga veprimtari të paligjshme.

Kontrollet në shtëpitë dhe automjetet e të dyshuarve kanë çuar në gjetjen e një sërë objektesh, duke përfshirë shtatë automjete, një shumë prej 3,700 euro, karta bankare dhe një numër telefonash celularë dhe kompjuterësh. Po ashtu, janë gjetur pajisje të tjera teknike, si kamera regjistrimi me qark të mbyllur, të cilat ishin instaluar në shtëpitë e të pandehurve për të mbajtur nën kontroll aktivitetet e tyre të paligjshme.

Hetimet vazhdojnë nga ana e policisë për të zbuluar nëse këta grupe kanë kryer edhe vepra të tjera të ngjashme penale. Sipas autoriteteve, të arrestuarit do të paraqiten para prokurorit të Gjykatave të Shkallës së Parë të Aitoloakarnias për t’u ballafaquar me akuzat që rëndojnë mbi ta.

Ndaj Postimin: