Presidenti i Sirisë, Al-Sharaa pritet nga Macron në Paris

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, do të realizojë një vizitë të rëndësishme në Paris, për bisedime me Presidentin Emmanuel Macron, vizita e tij e parë në Evropë që nga marrja e detyrës.

Ky udhëtim mund të shënojë një hap të rëndësishëm për lidhjet më të ngushta të Sirisë me vendet perëndimore. Al-Sharaa mori pushtetin pas një ofensive të grupit të tij islamist, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), që çoi në rrëzimin e ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor. Al-Assad, udhëhoqi vendin për më shumë se dy dekada, por pas humbjes së pushtetit, ai iku në Rusi.

Vizita e Al-Sharaas në Paris vjen në një kohë të tensioneve të rinovuara sektarizmit në Siri, ku vetëm një javë më parë, përleshjet midis forcave besnike të Al-Sharaa dhe luftëtarëve Druze shkaktuan rreth 100 viktima. Pas këtyre përleshjeve, situata është intensifikuar në rajonin bregdetar të Sirisë, ku konflikti midis sunitëve dhe alavitëve, pakicës që i përkiste al-Assad, ka sjellë një bilanc tragjik me mbi 1,000 të vdekur.

Pallati Elysee bëri të ditur se gjatë takimit, Presidenti Macron do të riafirmojë mbështetjen e Francës për një “Siri të lirë, të qëndrueshme dhe sovrane që respekton të gjithë përbërësit e shoqërisë së saj.” Macron do të theksojë gjithashtu rëndësinë e stabilitetit rajonal dhe luftën kundër terrorizmit, dy pika kyçe për politikën e jashtme të Francës në Lindjen e Mesme.

Al-Sharaa ka premtuar vazhdimisht se do të trajtojë të gjithë sirianët në mënyrë të barabartë, pa dallim feje ose etnie. Ndërkohë, grupe të ndryshme fetare, përfshirë alavitët, druzët dhe të krishterët, kanë shprehur frikën se mund të përballen me përndjekje nën udhëheqjen e një qeverie kryesisht myslimane sunite.

Lufta civile siriane, e cila ka zgjatur 14 vjet, ka shkaktuar gati gjysmë milioni të vdekur dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. Infrastruktura e vendit është shkatërruar, ndërsa sanksionet ndërkombëtare vazhdojnë të mbeten një pengesë e madhe për rindërtimin e Sirisë.

Vizita e Al-Sharaas në Paris po shikohet me kujdes si një test i gatishmërisë së Evropës për t’u angazhuar me udhëheqjen e re të Sirisë, një hap që mund të ndikojë në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian në të ardhmen.

Ndaj Postimin: