Gjykata e Posaçme dërgon për gjykim kryebashkiakun e Tropojës dhe zëvendësin e tij

Gjykata e Posaçme ka vendosur kalimin për gjykim të çështjes penale ndaj kryebashkiakut të Tropojës, Rexh Byberi, dhe zëvendëskryetarit të bashkisë, Abedin Kërrnaja. Dy zyrtarët lokalë do të përballen me akuzën për “shpërdorim të detyrës”, të kryer më shumë se një herë.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Rexh Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 408, datë 13.05.2015, “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit të hapjes së rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Hetimet kanë konstatuar se për hapjen e rrugëve të reja nuk janë ndjekur procedurat e detyrueshme ligjore, përfshirë aplikimin në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, verifikimin e dokumentacionit tekniko-ligjor dhe bashkëveprimin me institucionet kompetente, si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe ministritë përkatëse.

Sipas aktit të ekspertimit, këto shkelje kanë sjellë një dëm ekonomik në vlerën 277.611.520 lekë. Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka vlerësuar se veprimet e Rexh Byberit dhe Abedin Kërrnajës përbëjnë elementët e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033