Rikthehen skemat mashtruese të tipit piramidal, qytetarë të shumtë bien sërish pre

Në Shqipëri janë rikthyer sërish skemat mashtruese të ngjashme me firmat piramidale, duke vënë në rrezik financiar shumë qytetarë në disa zona të vendit. Pas një rasti të përhapur masivisht muaj më parë, ku mijëra persona humbën shuma të konsiderueshme parash, e njëjta formulë po shfaqet sërish.

Sipas të dhënave, skema e re, e quajtur “Ivuu”, po funksionon në Tiranë, Lezhë, Fier dhe qytete të tjera, përmes aplikacionit “Telegram”. Qytetarë të shumtë nga e gjithë Shqipëria janë bërë pre e saj, duke u përfshirë në një mekanizëm mashtrues që premton fitime të shpejta dhe të sigurta.

Skema bazohet në investime fillestare, ku individëve u premtohet se brenda dy javësh do të përfitojnë dyfishin e shumës së investuar. Ajo funksionon në formë zinxhiri, ku çdo pjesëmarrës sjell persona të rinj dhe përfiton komisione, ndërsa rritja e parave simulohet përmes të ashtuquajturave “sinjale” në një portofol elektronik.

Për t’u bërë pjesë e skemës, kërkohet një investim fillestar prej 1 deri në 2 mijë euro, si dhe dorëzimi i dokumentit të identifikimit. Në fund, përfituesit realë rezultojnë organizatorët e skemës, ndërsa pjesa më e madhe e pjesëmarrësve humbin paratë e investuara.

E njëjta skemë, me të njëjtën formulë dhe të njëjtin kanal komunikimi, po zhvillohet sërish, duke krijuar shqetësim për rrezikun e shtimit të viktimave.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033