Elbasani në Fokus: Marrëveshje për rijëtëzimin e Kalasë, qeveria shpalos projektet për qytetin

Elbasani do të marrë një hov të ri zhvillimi përmes një marrëveshjeje të re mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ishin të pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit, e cila shënon nisjen e projektit për rijetëzimin e Kalasë së Elbasanit.

Gjatë fjalës së tij, ministri Gonxhja e cilësoi situatën aktuale si jo të favorshme për të tërhequr vizitorët në qytet, duke theksuar mungesën e investimeve në pasuritë kulturore të tij. “Kalaja e Elbasanit është një simbol i rëndësishëm, por sot ajo nuk i ndjell qytetarët të vizitojnë qytetin me atë dëshirë dhe kuriozitet që do të donim. Ky projekt do të sjellë një ndryshim thelbësor,” tha ai.

Projekti përfshin restaurimin e disa monumenteve ikonike brenda dhe përreth perimetrit të Kalasë. Ministri përmendi hamamin e vjetër, Kishën Ortodokse të Shën Mërisë dhe bazilikën paleokristiane si disa nga pikat kyçe që do të rijetëzohen. Po ashtu, do të rikthehet në vëmendje shtëpia e Kristoforidhit, muzeu etnografik dhe kulla e Sahatit, duke krijuar një rrjet atraksionesh që ndërlidhen me Kalanë.

“Ne kemi miratuar vendimin për menaxhimin më të mirë të zonës A dhe B të Kalasë, që përfshin jo vetëm restaurimin, por edhe krijimin e kushteve më të mira për vizitorët,” shtoi Gonxhja.

Ndërsa fliste për rëndësinë e projekteve, ministri theksoi se Elbasani po bëhet gjithnjë e më i aksesueshëm, duke vlerësuar bypassin e ri, i cili ka shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Tirana. “Sot udhëtova nga Sauku në Elbasan për vetëm 19 minuta. Ky është një shembull i përpjekjeve tona për të afruar qytetin me kryeqytetin dhe për ta bërë atë një destinacion më tërheqës,” tha ai.

Kryeministri Rama, nga ana e tij, e quajti marrëveshjen një hap të rëndësishëm drejt valorizimit të pasurive kulturore të Elbasanit dhe shprehu angazhimin e qeverisë për të realizuar projekte që nxisin zhvillimin e qytetit.

Rijetëzimi i Kalasë dhe monumenteve përreth pritet të sjellë jo vetëm rigjallërim kulturor, por edhe përfitime ekonomike për qytetin, duke rritur numrin e turistëve dhe duke krijuar mundësi të reja për bizneset lokale.

Me këtë nismë, Elbasani synon të shndërrohet në një pikë referimi për trashëgiminë kulturore dhe historike të Shqipërisë, duke u bërë një destinacion i dashur për vendasit dhe turistët.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera