Rama nga Elbasani: Thumbime ndaj Berishës dhe ironia me “kukuvajkën kanarinë”

Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar vizitën e tij në Elbasan, gjatë prezantimit të projektit për rijetëzimin e kalasë, për të lëshuar disa deklarata ironike në drejtim të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Me një ton thumbues, Rama e quajti Berishën një “stalker” të Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe shtoi se një vizitë e tij në këtë qytet do të ishte një bekim i mirëpritur.

“Mirëpresim sa më parë stalkerin e Fondit të Zhvillimit që të shfaqet në kala dhe të këndojë këngën e kukuvajkës me pamjen e kanarinës. Ky bekim na duhet,” u shpreh Rama, duke ironizuar opozitën dhe kritikat e saj ndaj projekteve të qeverisë.

Kryeministri nuk ndaloi me kaq. Ai shtoi se një vizitë e Berishës në Elbasan do të ndihmonte për të mbajtur larg çdo “sy të keq,” duke përmendur me humor hudhrën si një element tradicional mbrojtës në kulturën vendase. “Nëse kukuvajka kanarinë do të nderonte me vizitën e saj, do të kishim një hudhër ‘point zero’ në dispozicion për të mbrojtur projektet tona,” deklaroi Rama.

Ironia e kryeministrit vijoi me aludime për akuzat e opozitës ndaj Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilin Berisha e ka cilësuar si një mekanizëm korruptiv. “Do të forconim këtë marrëdhënien tonë ‘mafioze, korruptive, kriminale’ me fondin dhe do të vendosnim të gjitha ‘paratë e krimit të përbashkët’ në shërbim të Elbasanit,” shtoi Rama me një sarkazëm të theksuar.

Në fund, Rama e mbylli fjalën e tij me një shënim autoironik, duke e cilësuar entuziazmin e tij si “patetik,” por të bazuar në kënaqësinë që fondi ka një kritik të tillë. “Jo se më kanë munguar stalker-ët, por kurrë nuk kam pasur një në këtë trajtë cicëruese,” përfundoi ai.

Këto deklarata erdhën në një moment kur qeveria po përpiqet të promovojë projekte të reja zhvillimi për Elbasanin, ndërsa opozita ka ngritur akuza të vazhdueshme për korrupsion dhe shpërdorim fondesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera