DIVJAKË – AMORTIZOHET PEDONALJA PREJ DRURI NË PARKUN KOMBËTAR, RREZIK PËR VIZITORËT.

Pedonalja prej druri në Parkun Kombëtar të Divjakës, një nga atraksionet më të frekuentuara nga turistët dhe vizitorët, po përballet me një gjendje shqetësuese për shkak të amortizimit dhe mungesës së mirëmbajtjes.

Dërrasa të thyera, pjesë të dëmtuara dhe elementë të shkatërruar të strukturës janë pamjet që ndeshin sot qytetarët dhe turistët që zgjedhin të shëtisin në këtë zonë natyrore.

Problematika bëhet edhe më serioze kur bëhet fjalë për sigurinë e këmbësorëve. Kalimi në këtë pedonale paraqet rrezik për rrëzime dhe dëmtime, veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit.

Ajo që bie në sy është edhe mungesa e sinjalistikës paralajmëruese. Pavarësisht dëmtimeve të dukshme, nuk ka tabela që të informojnë vizitorët për rrezikun apo t’i udhëzojnë të shmangin zonat problematike.

Por pyetja që shtrohet është: Përse kjo hapësirë turistike është lënë në këtë gjendje dhe kush mban përgjegjësi për mirëmbajtjen e saj.

Bashkia Divjakë dhe institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa konkrete për riparimin e pedonales, vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe garantimin e sigurisë për çdo vizitor.

Parku Kombëtar i Divjakës promovohet si një destinacion i rëndësishëm turistik, por turizmi nuk mund të zhvillohet vetëm përmes reklamimit. Ai kërkon infrastrukturë të mirëmbajtur dhe mbi të gjitha të sigurt.

Vizitorët nuk duhet të rrezikojnë shëndetin gjatë një shëtitjeje në natyrë. Ndërhyrja nuk duhet të vijë pasi të ndodhë një aksident!

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033