Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë një deklaratë për mediat ku e përshkruan SPAK dhe GJKKO si struktura që veprojnë në favor të regjimit dhe që sipas tij, po përdoren për qëllime të errëta.
Ai akuzoi këto institucione se po veprojnë si mekanizma kriminalë dhe kamikazë kundër Partisë së Lirisë dhe Ilir Metës.
Blushi gjithashtu njoftoi se Partia e Lirisë po mbledh të dhëna lidhur me ata që ai i quajti banda të cilat kanë marrë përsipër veprime të dhunshme ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. “Në grupin që mori pjesë në këtë akt të dhunshëm, janë përfshirë individë që fshihen pas maskave, banditë dhe gangsterë. Populli shqiptar duhet të dijë se kush janë këta njerëz,” u shpreh Blushi.
Sipas tij, një nga oficerët që u ngarkua të prezantonte urdhrin e arrestit ishte vetëm 27 vjeç, pa përvojë në polici, dhe më parë kishte shërbyer si roje trafiku. Blushi përmendi gjithashtu se dy nga personat e përfshirë në këtë veprim janë të njohur për precedentë kriminalë dhe janë të lidhur me banda në Durrës. Ai ftoi Ministrin e Brendshëm që të sqarojë publikisht këto pretendime nëse nuk janë të vërteta.
Blushi tha se një nga automjetet e përdorura në operacion, një Volkswagen me targën AA42IVA, ka qenë në qarkullim për dy vite pa dokumenta të rregullta dhe ka një histori të dyshimtë. Ai theksoi se këto automjete nuk i përkisnin Policisë së Shtetit dhe se njerëzit e përfshirë ishin të armatosur dhe pa shenja identifikimi. Blushi shtoi se dhuna u ushtrua edhe ndaj z. Peca, një funksionar i lartë politik në Partinë e Lirisë.
Përfundimisht, Blushi tha se SPAK dhe GJKKO po veprojnë pa prova të vërteta kundër Ilir Metës dhe se e gjithë kjo është një përpjekje e regjimit për të shkatërruar pluralizmin politik në vend.