Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e sheh si zgjidhje përsëritjen e marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në një intervistë për Euractiv, ai shprehu shqetësimin se një marrëveshje e tillë mund të ngrejë pyetje për respektimin e të drejtave të njeriut.
“Nëse qendra riatdhesimi si ato në Shqipëri do të ndërtoheshin edhe në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurohemi që të drejtat e njerëzve të strehuar aty të respektohen?” – tha Kurti. Ai shtoi se këto qendra do të mund të krijonin shqetësime, jo vetëm për banorët e Ballkanit, por edhe për qytetarët e Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ai pranon se në rast të një emergjence, mund të merret në konsideratë një pranim i përkohshëm i emigrantëve, por thekson se është e rëndësishme të trajtohen me kujdes këto situata. “Po flasim për qenie njerëzore, të cilat meritojnë kujdes dhe respekt”, theksoi Kurti.
Artikulli përmend se pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani dhe rënies së Kabulit në gushtin e vitit 2021, Kosova, ashtu si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pranoi disa qindra afganë të evakuuar, duke i strehuar përkohësisht në bazat e NATO-s, përpara se ata të transferoheshin në vende perëndimore.
Pak ditë më parë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshëndeti marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë si një shembull të suksesshëm, duke u sugjeruar liderëve të vendeve anëtare të BE-së ta shohin këtë model si një zgjidhje për krizat me emigrantët e paligjshëm. Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, ka shprehur interes për këtë marrëveshje gjatë një takimi me homologen italiane, Giorgia Meloni, duke thënë se do të presë të shohë rezultatet e saj për të shqyrtuar mundësinë e adoptimit të modelit.
One Response
Lideri i Shqiptareve