Alarm për shëndetin e Nuredin Dumanit në QSUT

I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani u dërgua urgjent nga paraburgimi 313 në QSUT, pas problemeve të rënda me zemrën dhe frymëmarrjen.

Burimet mjekësore dhe ato penitenciare konfirmojnë se tek Dumani janë konstatuar shenja të forta takikardie, pra përshpejtim i ritmit kardiak përtej normales. Gjendja e tij është vlerësuar e rrezikshme, çka detyroi stafin e paraburgimit të kërkojë transport të menjëhershëm drejt qendrës spitalore.

Transferimi është kryer nën masa të larta sigurie. Forcat Speciale të Burgjeve dhe RENEA kanë shoqëruar automjetin mjekësor deri te urgjenca e QSUT-së, ndërsa strukturat e sigurisë kanë rrethuar perimetrin e spitalit për të shmangur çdo incident.

SPAK është njoftuar menjëherë dhe po ndjek nga afër zhvillimet. Prokurorët janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore për të monitoruar ecurinë klinike, ndërsa pritet një njoftim zyrtar sapo të përfundojnë vlerësimet mjekësore.

Aktualisht, nuk ka një bilanc përfundimtar mbi gjendjen shëndetësore të Dumanit. Autoritetet kanë rritur praninë e forcave të rendit në ambientet e spitalit, derisa mjekët të përcaktojnë trajtimin e mëtejshëm dhe rrezikun e mundshëm për jetën.

Nuredin Dumani njihet si bashkëpunëtori kyç i Prokurorisë së Posaçme. Dëshmitë e tij, të mbështetura nga komunikimet e përftuara në “Sky ECC”, kanë mundësuar goditjen e disa grupeve kriminale në Elbasan, Tiranë, Durrës dhe Shkodër, si dhe zbardhjen e një sërë ngjarjesh të rënda penale.

Ndaj Postimin: