Besimtarët bektashinj nisin 9 ditë zie dhe reflektimi në nderim të martirëve të Qerbelasë, duke agjëruar në muajin e shenjtë Muharrem
Më 26 qershor, besimtarët bektashinj anembanë vendit nisin agjërimin e Matemit, një periudhë e shenjtë zie dhe përkujtimi për 72 martirët e Qerbelasë, të udhëhequr nga Imam Hyseni. Ky agjërim zgjat nëntë ditë dhe përkon me muajin e parë të kalendarit islam hënor, Muharrem, të cilin Profeti Muhamed e ka cilësuar si “muaji i Allahut” për vlerën e tij të veçantë.
Agjërimi i Matemit konsiderohet si më i rëndësishmi pas atij të Ramazanit, për nga pesha shpirtërore dhe domethënia e tij historike. Këto ditë shënojnë një periudhë reflektimi, vetëpërmbajtjeje dhe lutjesh për të gjithë ndjekësit e tarikateve bektashiane e aleviane.
Në këtë javë të shenjtë, besimtarët mblidhen në teqe të ndryshme për të ndjekur rituale fetare, ku udhërrëfyesit shpirtërorë lexojnë me zë të lartë pjesë nga “Hadikaja”, një tekst i rëndësishëm i trashëgimisë bektashiane. Në to përkujtohen me dhimbje por dhe krenari vuajtjet, sakrifica dhe drejtësia që përcolli Imam Hyseni dhe të rënët e tjerë në Qerbela.
Përmes këtyre riteve, përçohen mesazhe të paqes, vëllazërisë dhe drejtësisë, si vlera themelore të këtij udhëzimi shpirtëror. Në çdo ditë të Matemit, theksohet rëndësia e përkushtimit ndaj Zotit dhe përulësisë ndaj dhimbjes të së kaluarës.
Kamera e TV Apollon ka sjellë në vëmendje fjalën e Resul Prishtës, 86-vjeçarit që ka qenë kryetar i Shoqatës Bektashiane dhe aktualisht mban titullin President Nderi. Ai uroi të gjithë besimtarët bektashinj për këtë javë zie, duke theksuar rëndësinë e agjërimit në nder të Abaz Aliut dhe sakrificave të shpirtit të Qerbelasë, raporton gazetari Ndriçim Gjoshi.
Prishtja nënvizoi se kjo periudhë është një kohë për të rigjetur paqen shpirtërore dhe për të reflektuar mbi idealet e drejtësisë që ndriçuan historinë e besimit.