81 vite nga krimet e Zervës ndaj shqiptarëve të Çamërisë, një plagë që ende kërkon drejtësi

Shqiptarët përkujtojnë 81-vjetorin e gjenocidit në Çamëri, me homazhe dhe thirrje për drejtësi e kujtesë historike

Më 27 qershor të vitit 1944, ushtria shoviniste greke e drejtuar nga gjenerali Napoleon Zerva kreu një nga aktet më tragjike ndaj shqiptarëve të Çamërisë. Mijëra shqiptarë civilë u vranë, u masakruan dhe u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre stërgjyshore. Ajo ditë e përgjakshme u shënjua në histori si “Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë”.

Pa mëshirë u qëlluan gra, fëmijë e të moshuar. Vendi u përfshi nga dhuna ekstreme, e cila kishte si qëllim fshirjen e një popullsie të tërë nga historia dhe gjeografia e Çamërisë. Shtëpitë u dogjën, pronat u grabitën dhe rrënjët shekullore shqiptare në atë trevë u goditën rëndë.

Gjatë dekadave që pasuan, autoritetet greke mohuan vazhdimisht përgjegjësinë për masakrat, duke heshtur mbi këtë kapitull të errët. Megjithatë, dëshmitë e mbijetuarve, dokumentet historike dhe memoria kolektive e shqiptarëve vazhdojnë të mbajnë të gjallë të vërtetën.

Sot, në të gjitha trevat shqiptare dhe në diasporë, kjo ditë përkujtohet me ceremoni përkujtimore dhe homazhe për viktimat e pafajshme. Flamujt ulen në gjysmështizë, ndërsa në tubime e nisma përkujtimore ngrihet zëri për drejtësi dhe njohje të gjenocidit.

Çështja çame mbetet ende e pazgjidhur në planin ndërkombëtar. Kërkesa për rikthimin e të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë, përfshirë kthimin në trojet e tyre, kompensimin për pronat dhe njohjen zyrtare të krimeve, mbetet aktuale dhe jetike.

Kjo datë është më shumë se një përkujtim. Është një thirrje për të mos harruar, për të ruajtur kujtesën historike dhe për të mbështetur përpjekjet e pandërprera për drejtësi. Çamëria nuk është një çështje e së kaluarës, por një plagë e hapur në ndërgjegjen e kombit shqiptar.

Ndaj Postimin: