Derdhje hidrokarburesh dhe kafshë të ngordhura: një dramë mjedisore në rrjedhën e Vjosës

Nafta që noton mbi sipërfaqen e ujit, baltë ngjitëse dhe mungesë reagimi nga shteti po e kthejnë lumin e Vjosës në një vatër ndotjeje të pakontrolluar

Një ndotje e rëndë mjedisore është duke shkatërruar lumin e Vjosës, duke shkaktuar pasoja të rënda për ekosistemin e zonës. Pamjet e publikuara nga një ambientalist australian kanë tronditur opinionin publik, pasi në to dallohet qartë ndotja masive nga derdhja e hidrokarbureve në ujë.

Në video duken shtresa të dendura me baltë të zezë dhe naftë, që e kanë zëvendësuar rrjedhën natyrale të lumit. Në sipërfaqe notojnë substanca të rrezikshme, ndërsa në brigje shtrihen trupat e pajetë të kafshëve dhe zvarranikëve, që kanë humbur jetën si pasojë e ndotjes.

“Uji është zëvendësuar nga karburanti. Ka mbi 10 centimetra baltë, dhe më thellë është edhe më keq. Është aq ngjitëse dhe e nxehtë sa nuk mund të dalësh prej andej”, shprehet ambientalisti, i cili thekson se gjendja është alarmante dhe tepër e rrezikshme për jetën në këtë habitat.

Ai tregon se problemi është i kahershëm dhe se kjo nuk është hera e parë që ndotja e Vjosës del në dritë. Sipas tij, situata është raportuar që para shtatë vitesh, por autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete.

“Si ka mundësi që qeveria nuk reagon? Kemi parë të njëjtën situatë edhe shtatë vite më parë, por nuk ndodhi asgjë. Madje, tani është bërë më keq”, denoncon ai.

Në fokus të kritikës është kompania shtetërore “Albpetrol”, e cila dyshohet si burimi kryesor i kësaj ndotjeje përmes derdhjeve të pakontrolluara të mbetjeve industriale në lumenjtë përreth.

Ndërsa reagimi institucional mungon, pasojat në mjedis dhe te biodiversiteti janë tashmë të dukshme, duke ngritur shqetësime serioze për shëndetin publik dhe dëmet afatgjata në natyrë.

Ndaj Postimin: