Tregu i pakicës në Lushnje është mbushur me prodhime të freskëta të stinës, por ajo që mungon është fuqia blerëse e qytetarëve.
Në këtë periudhë të nëntorit, prodhimet e fermerëve vendas kanë mbushur tezgat e tregut. Preshi, lakra, lulelakra, brokoli, kastraveci, spinaqi dhe domatja ofrohen me çmime normale për sezonin. Nuk mungojnë as mollët e Korçës dhe të Dibrës, qepët, si dhe një shumëllojshmëri produktesh të importuara.
Por, përballë kësaj oferte të bollshme, tregtarët ngrenë shqetësimin për rënien e shitjeve dhe mungesën e blerësve.
Ata shprehen jashtë kamere se qytetarët po blejnë gjithnjë e më pak, ndërsa në treg vërehen kryesisht pensionistë, të cilët, për shkak të të ardhurave të kufizuara, detyrohen të reduktojnë edhe blerjet e produkteve ushqimore.
Kështu, në tregun e pakicës në Lushnje, prodhimet e stinës nuk mungojnë, çmimet konsiderohen normale për këtë periudhë, por mungon konsumatori.
Një realitet që tregon se bollëku i produkteve në tezga nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe mundësi për t’i blerë ato.