Shqiptarët paguajnë më shumë për ushqimet se qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Me 100 euro të shpenzuara në Tiranë, konsumatorët mund të blejnë rreth 46% më shumë produkte në Prishtinë, 34% më shumë në Shkup, 25% në Podgoricë, 22% në Sarajevë dhe 17% në Beograd.
Sipas krahasimit të Monitor, bazuar në të dhënat e Numbeo, një shportë me 15 produkte bazë kushton 54.6 euro në Tiranë, kundrejt 46.9 eurove në Beograd dhe vetëm 37.3 eurove në Prishtinë.
Diferencat janë edhe më të forta te produktet e përditshme. Një paketim me 12 vezë kushton 3.24 euro në Tiranë, pothuajse dyfishin e Prishtinës, ku shitet 1.61 euro.
Një litër qumësht kushton 1.97 euro, kundrejt 1.05 eurove në Sarajevë, ndërsa një kilogram djathë vendas arrin në 11.4 euro, nga rreth 7 euro në Prishtinë dhe Shkup.
Edhe mishi rëndon mbi konsumatorët. Filetoja e pulës kushton 8.2 euro për kilogram, ndërsa viçi 15.2 euro. Bananet kushtojnë 2.2 euro, rreth 75% më shumë se në Shkup.
Por çmimet e larta nuk evidentohen vetëm nga Numbeo. Sipas Eurostat, në vitin 2025 Shqipëria arriti në 102.9% të mesatares së Bashkimit Europian për çmimet e ushqimeve, nga 99.6% në vitin 2024 dhe rreth 85% në vitin 2022.
Në Serbi niveli ishte 96.6%, në Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë 84.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut vetëm 74.3%.
Rekordi shfaqet te bulmeti dhe vezët, me çmime 35.6% mbi mesataren europiane.
Paradoksi është se shqiptarët kanë të ardhura për frymë sa 43% e mesatares së BE-së, ndërsa ushqimet zënë rreth 40% të shpenzimeve familjare.
Edhe forcimi i Lekut ndaj Euros, që ka ulur koston e importeve, nuk është reflektuar në të njëjtën masë në çmimet për konsumatorët.