Prej katër vitesh, 700 metra rrugë vijojnë të mbeten një shqetësim i pazgjidhur për banorët e fshatit Çërragë, në Njësinë Administrative Fierëz, Bashkia Belsh. Një segment i shkurtër në gjatësi, por me rëndësi të madhe për komunitetin, i cili prej vitesh pret investimin që do t’i japë fund vështirësive të përditshme.
Në verë, pluhuri dhe gropat, ndërsa në dimër balta dhe uji, e bëjnë këtë aks të vështirë për t’u përshkuar. Pamjet flasin vetë, ndërsa banorët dhe drejtuesit e mjeteve ngrenë shqetësimin për mungesën e ndërhyrjes.
Kjo rrugë shërben edhe si lidhëse mes Bashkisë Belsh dhe asaj të Lushnjës. Madje, Bashkia Lushnjë e ka asfaltuar segmentin në territorin e saj deri në kufirin administrativ, ndërsa 700 metrat që i përkasin Bashkisë Belsh vijojnë të mbeten të paasfaltuara.
Përgjatë këtij aksi janë ndërtuar edhe banesa të reja vitet e fundit, duke shtuar numrin e familjeve që përballen çdo ditë me këtë problematikë. Banorët shpresojnë që pas kalimit të Bashkisë Belsh në qarkun e Elbasanit dhe me investimet e pritshme, kjo rrugë të mos mbetet më jashtë vëmendjes së institucioneve.
700 metra që ndajnë dy bashki, por që për banorët e Çërragës përfaqësojnë katër vite pritje për një rrugë normale, të sigurt dhe të asfaltuar.