Nga 1 janari 2027, rregulla të reja për numrat celularë dhe rimbushjet.

Nga 1 janari 2027, përdoruesit e telefonisë celulare do të përfitojnë nga rregulla të reja për mbrojtjen e numrave dhe kreditit të parapaguar.

Sipas rregullores së re të miratuar nga AKEP, kartat SIM dhe eSIM me parapagim do të kenë vlefshmëri minimale prej 12 muajsh nga aktivizimi. Pas këtij afati, numri mund të kalojë në status pasiv, por nuk mund të çaktivizohet përfundimisht pa kaluar edhe 90 ditë kalendarike.

Gjatë kësaj periudhe, përdoruesit do të mund të marrin telefonata dhe SMS, të kontaktojnë numrat e emergjencës dhe të kryejnë rimbushje për riaktivizimin e numrit. Krediti monetar i papërdorur do të ruhet dhe do t’i shtohet rimbushjes së re.

Ndryshime parashikohen edhe për rimbushjet. Çdo rimbushje do të ketë vlefshmëri minimale prej 180 ditësh, pavarësisht shumës. Operatorët duhet të ofrojnë edhe rimbushje deri në 200 lekë, si dhe një alternativë me vlefshmëri të paktën 365 ditë, për një shumë jo më të lartë se 2 mijë lekë, me TVSH.

Abonentët që transferojnë numrin te një operator tjetër do të kenë të drejtë të kërkojnë kthimin e kreditit të paguar dhe të papërdorur, pa përfshirë bonuset promocionale.

Mbrojtje shtesë parashikohet edhe për internetin jashtë paketës. Kur tarifa kalon 2.4 lekë për megabajt, operatori duhet të bllokojë automatikisht shërbimin përpara tarifimit shtesë. Shpenzimet shtesë do të kenë një kufi të parazgjedhur prej 6 mijë lekësh në muaj, me TVSH.

Rregullorja ndalon gjithashtu rritjen automatike të tarifave sipas inflacionit, kur vlera e ardhshme nuk është përcaktuar në kontratë.

Operatorët duhet të paralajmërojnë abonentët të paktën 30 ditë përpara përfundimit të kontratës, ndërsa për faturat e papaguara duhet të japin të paktën 15 ditë afat shtesë për pagesën, përpara kufizimit ose ndërprerjes së shërbimit.

Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 janar 2027 dhe do të zbatohen për aktivizimet dhe rimbushjet e kryera nga kjo datë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033