Mungesa e barnave me rimbursim dhe problemet me kontraktimin kanë rënduar xhepat e pacientëve shqiptarë gjatë vitit 2025. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, qytetarët kanë paguar rreth 11.3 milionë lekë shtesë, për shkak se për 24 barna nuk janë kontraktuar alternativat e para të rimbursimit.
Auditimi ka evidentuar gjithsej 200 barna pa kontratë, nga të cilat 64 kanë pasur konsum të raportuar dhe pagesa rimbursimi. Për alternativat e vetme dhe të para të rimbursuara pa kontratat përkatëse, vlera arrin në rreth 10.13 milionë lekë.
Problematike mbetet edhe disponueshmëria e barnave në treg. KLSH ka identifikuar 373 barna pa konsum të raportuar, përfshirë 77 alternativa të para, pa analiza të dokumentuara për arsyet e mungesës së konsumit.
Ndërkohë, pavarësisht problematikave, fondet për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve gjatë vitit 2025 janë realizuar në masën 97.1 për qind, duke lënë të pashfrytëzuara 366 milionë lekë.
Raporti evidenton gjithashtu vetëm 3 kontrolle tematike ndaj depove farmaceutike dhe mosaplikimin e penaliteteve në vlerën 42 milionë lekë.
KLSH ngre shqetësimin për mangësitë në administrimin dhe kontrollin e skemës së rimbursimit, ndërsa pasojat financiare të këtyre problematikave i përballojnë pacientët.