Pronarët e makinave të vjetra mund të përballen me kufizime të reja duke nisur nga viti 2027. Qeveria shqiptare ka miratuar Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit deri në vitin 2030, ku parashikohet heqja graduale e kategorive të vjetruara të standardeve evropiane të ndotjes EURO.
Sipas dokumentit, procesi pritet të shtrihet përgjatë periudhës 2027–2030 dhe shoqërohet me forcimin e kontrollit teknik të automjeteve. Ndryshimet mund të ndikojnë jo vetëm te pronarët e makinave të përdorura, por edhe te qytetarët që planifikojnë të blejnë automjete dhe bizneset që operojnë në tregun e importit.
Një nga arsyet kryesore të kësaj strategjie është mosha e vjetër e flotës së automjeteve në Shqipëri dhe ndikimi i transportit në ndotjen e mjedisit.
Megjithatë, për momentin nuk bëhet fjalë për një ndalim të menjëhershëm të makinave të vjetra.
Dokumenti nuk përcakton ende se cilat kategori EURO do të preken konkretisht, nëse kufizimet do të lidhen me importin, regjistrimet e reja apo edhe automjetet që janë aktualisht në qarkullim.
Paralelisht, parashikohet edhe forcimi i kontrollit teknik të mjeteve, për të cilin është planifikuar një financim prej 120 mijë eurosh.
Strategjia synon gjithashtu nxitjen e përdorimit të automjeteve me emetime të ulëta dhe zgjerimin e infrastrukturës së karikimit për makinat elektrike.
Periudha 2027–2030 pritet të sjellë ndryshime në tregun e automjeteve në Shqipëri, ndërsa rregullat konkrete për makinat që do të preken mbeten për t’u përcaktuar përmes akteve të mëtejshme ligjore.