BLEGTORËT PËRGATITEN PËR DIMËRIMIN E BAGËTIVE.

Me afrimin e stinës së dimrit, blegtorët në zonat veriore kanë nisur përgatitjet për sigurimin e bazës ushqimore për bagëtitë. Temperaturat e ulëta kanë mbërritur tashmë në bjeshkë, ku tufat e bagëtive vijojnë të kullosin, ndërsa fermerët po marrin masat për përballimin e muajve të ftohtë.

Për shumë prej tyre, dimërimi i bagëtive shoqërohet me kosto të konsiderueshme. Blerja dhe sigurimi i ushqimit për kafshët, si dhe shërbimet veterinare, mbeten përgjegjësi e vetë fermerëve, të cilët thonë se deri më tani nuk kanë përfituar mbështetje nga shteti.

Një pjesë e blegtorëve zgjedhin të zhvendosin tufat drejt zonave të ulëta dhe fushave të Myzeqesë, ku qëndrojnë gjatë muajve të dimrit, për t’u rikthyer në pranverë në bjeshkë dhe në stanet e tyre tradicionale.

Fermerët shprehen se kanë siguruar me shpenzimet e tyre bazën ushqimore për dimërimin, ndërsa kanë kryer edhe vaksinimin e bagëtive, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre.

Pavarësisht vështirësive dhe kostove në rritje, blegtorët vijojnë të mbajnë gjallë traditën e mbarështimit të bagëtive, duke u përballur çdo vit me sfidat që sjell stina e dimrit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033