Këto ditë, disa portale online, mes tyre edhe Voice of Tirana, kanë publikuar deklaratat e ekspertit të drithërave Abdyl Sinani, i cili ngre shqetësime për cilësinë e miellit që importohet në Shqipëri dhe përdorimin e tij në prodhimin e bukës.
Sipas ekspertit, miell me përmbajtje të ulët gluteni dhe proteinash, i destinuar për biskota dhe ëmbëlsira, mund të përdoret edhe për prodhimin e bukës, duke iu shtuar aditivë për të përmirësuar vetitë e tij.
Serbia është ndër burimet kryesore të grurit të importuar në vendin tonë. Por, sipas Sinanit, shqetësimi nuk lidhet vetëm me origjinën, por edhe me cilësinë e grurit dhe kontrollet që i bëhen.
Një tjetër problematikë e ngritur prej tij është edhe buka e zezë. Eksperti pretendon se në disa raste përdoret miell i bardhë, të cilit i shtohen ngjyrues për t’i dhënë pamjen e bukës integrale.
Sinani ngre gjithashtu shqetësime për kushtet e magazinimit të grurit dhe rrezikun e krijimit të mykotoksinave, të cilat mund të jenë të dëmshme për shëndetin.
Ai përmend edhe raste problematike në Lushnjë dhe Berat, duke kërkuar kontrolle më të forta mbi përpunimin dhe cilësinë e miellit.
Përballë këtyre deklaratave të bëra publike edhe në mediat online, mbetet e rëndësishme transparenca e institucioneve përgjegjëse dhe garantimi i sigurisë ushqimore.
Sepse buka është në tryezën e çdo familjeje dhe cilësia e saj është një çështje që na prek të gjithëve.