Sa herë që bie shi, në disa fshatra të Lushnjës ndërpritet furnizimi me energji elektrike. Një situatë që, sipas banorëve, përsëritet shpesh, duke u kthyer në shqetësim të vazhdueshëm për familjet dhe bizneset.
Kjo premte , sipas informacionit të raportuar, janë stakuar tre fidera: fid. 2P i Karbunarës së Vogël, fid. 12M i Bubullimës dhe fid. 8P i Krutjes.
E njëjta situatë raportohet edhe në Njësinë Administrative Fier-Shegan, ku ndërprerjet e energjisë elektrike duket se janë kthyer në një problem të përsëritur sa herë që kushtet atmosferike përkeqësohen.
Me ironi, banorët shprehen se mjafton të bjerë shi në Itali që të fiken dritat në Lushnjë e në Shqipëri, një batutë që pasqyron pakënaqësinë e tyre për këtë problematikë të vazhdueshme.
Edhe pse kanë kaluar 35 vite nga vendosja e sistemit demokratik, furnizimi i qëndrueshëm me energji elektrike vijon të mbetet një shqetësim për qytetarët. Ndërprerjet nuk ndodhin vetëm gjatë dimrit, por edhe në sezonin e verës, duke vështirësuar jetën e përditshme të banorëve.
Pavarësisht njoftimeve nga zyrat e OSHEE-së në Lushnjë, qytetarët presin zgjidhje konkrete dhe furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
Për banorët, pyetja mbetet e njëjtë: deri kur shiu do të sjellë errësirën në fshatrat e Lushnjës?