AKSIDENT NË LUSHNJË, AUTOMJETI GODIT MOTORIN, SHPËTON DREJTUESI

Një aksident rrugor është regjistruar rreth orës 12:00 të mesditës, pranë stacionit të trenit në qytetin e Lushnjës. Një automjet ka goditur nga pas një motor, duke e rrëzuar në tokë drejtuesin e tij, i cili, sipas informacioneve paraprake, ka pësuar dëmtime të lehta.

Por, përtej aksidentit, banorët ngrenë shqetësimin për sigurinë rrugore në këtë zonë, ku, sipas tyre, drejtues të shumtë mjetesh nuk respektojnë sinjalistikën dhe lëvizin me shpejtësi.

Banori i lagjes, 67-vjeçari Kajmak Tallau, shprehet se vetëm pak ditë më parë, në të njëjtin vend, është goditur edhe një familjar i tij. Ai kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për vendosjen e pengesave fizike për uljen e shpejtësisë dhe marrjen e masave për parandalimin e aksidenteve.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga 67-vjeçari lidhet me vonesat e mbërritjes së autoambulancës në vendngjarje. Sipas qytetarit, shërbimi i urgjencës vonohet në raste të tilla, duke ngritur pikëpyetje për reagimin në kohë dhe ndihmën ndaj personave të dëmtuar.

Banori u bën thirrje institucioneve që të marrin masa konkrete për sigurinë në këtë aks rrugor, i cili, sipas tij, po kthehet në një zonë problematike për banorët dhe përdoruesit e rrugës.

Ndiqni më poshtë deklaratën e 67-vjeçarit Kajmak Tallau, i cili rrëfen shqetësimet e tij dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të institucioneve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033