Tashmë jemi në vjeshtë dhe në tokat bujqësore të Myzeqesë dhe fushës së Tërbufit, prodhimet e sezonit të verës kanë përfunduar. Fermerët kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri, duke u rikthyer në parcela për plugimin e tokave dhe mbjelljet e vjeshtës.
Një pjesë e fermerëve kanë nisur tashmë punimet, duke nxituar për të përgatitur tokën në kohë për mbjelljen e grurit. Për shumë prej tyre, gruri mbetet një kulturë tradicionale, e kultivuar prej vitesh në këtë zonë.
Por, pavarësisht traditës, fermerët përballen çdo sezon me vështirësi në tregtimin dhe shitjen e prodhimit. Çmimet, kostot e larta të prodhimit dhe pasiguria për tregun mbeten ndër shqetësimet kryesore për bujqit.
Megjithatë, këto vështirësi nuk i kanë ndalur. Edhe këtë vjeshtë, ata po përgatitin tokat dhe po planifikojnë mbjelljet e reja, duke shpresuar për një sezon më të mbarë.
Për fermerët, një rol të rëndësishëm në këtë proces duhet të ketë edhe shteti. Ata kërkojnë rregullim dhe kontroll më të mirë të pikave të grumbullimit dhe tregut të grurit, në mënyrë që prodhimi vendas të ketë më shumë siguri në shitje.
Gruri i prodhuar në Myzeqe furnizon tregun vendas dhe industrinë e përpunimit, duke shkuar deri te prodhimi i miellit dhe më pas i bukës në furrat e vendit.
Ndërsa fushat marrin sërish ngjyrën e punës së vjeshtës, fermerët nisin një tjetër cikël bujqësor, me shpresën që puna e tyre të shpërblehet në sezonin e ardhshëm.