29 SHTATORI – DITA BOTËRORE E ZEMRËS.

29 shtatori shënon Ditën Botërore të Zemrës, një ditë sensibilizuese që synon të ndërgjegjësojë qytetarët për rëndësinë e shëndetit të zemrës dhe parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare.

Çdo vit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Federatën Botërore të Zemrës, promovojnë këtë nismë në mbarë botën, me qëllim informimin dhe edukimin e qytetarëve mbi faktorët e riskut dhe rëndësinë e kontrolleve të rregullta.

Edhe në Lushnje, kjo ditë u shënua me një aktivitet sensibilizues. Në bulevardin kryesor, pranë ambienteve të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, u vendos një çadër informuese, ku punonjësit e shëndetësisë ofruan shërbime dhe këshilluan qytetarët për kujdesin ndaj zemrës.

Qytetarët patën mundësi të matin tensionin arterial dhe të marrin këshilla nga profesionistët e shëndetësisë për kontrollet periodike dhe mënyrat e parandalimit të sëmundjeve kardiovaskulare.

Mesazhi i kësaj dite është i rëndësishëm për çdo moshë. Kujdesi për zemrën nuk duhet të nisë vetëm në moshën e tretë, por që në moshë të re, përmes një stili jetese të shëndetshëm dhe kontrolleve të vazhdueshme.

Nëse shfaqen shqetësime apo simptoma, këshilla e specialistëve është që qytetarët të mos i neglizhojnë, por t’i drejtohen mjekut për një kontroll të specializuar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033