Ka nisur prej disa ditësh pastrimi i një prej kanaleve kryesore vaditëse dhe kulluese në zonën e Myzeqesë, i cili përshkon territorin e dy bashkive, Lushnjë dhe Divjakë.
Për fermerët e Myzeqesë, kanalet vaditëse dhe kulluese kanë qenë ndër problematikat e vazhdueshme, veçanërisht për mbarëvajtjen e punëve bujqësore dhe për mbrojtjen e tokave nga grumbullimi i ujërave.
Kanali kryesor, i cili prej kohësh ishte mbuluar nga kallamat dhe barishtet e egra, po pastrohet me mjete të rënda. Punimet shtrihen në një segment që nis nga zona e rrethrrotullimit pranë autostradës, vijon në drejtim të Grabianit dhe deri te Tri Urat.
Funksioni i këtij kanali është përcjellja e ujërave të mbledhura nga zona e Tërbufit dhe territoret përreth, duke ndihmuar në kullimin e tokave bujqësore.
Pastrimi i kanalit pritet të përmirësojë qarkullimin e ujërave dhe të krijojë kushte më të mira për tokat bujqësore, veçanërisht në periudhën e dimrit, kur reshjet e shumta mund të sjellin probleme me përmbytjet dhe drenazhimin e sipërfaqeve të mbjella.
Ndërhyrja është e rëndësishme për fermerët e zonës së Myzeqesë, pasi kanalet vaditëse dhe kulluese janë një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës bujqësore dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e prodhimit.
Punimet për pastrimin e kanalit do të vijojnë përgjatë gjithë segmentit të parashikuar, me synimin për t’i rikthyer atij funksionin e plotë vaditës dhe kullues në shërbim të tokave bujqësore të zonës.