Biblioteka Publike “Dritëro Agolli” çeli ekspozitën “Në gjurmët e trashëgimisë”, një aktivitet që sjell për publikun një pjesë të pasurisë kulturore dhe historike të ruajtur ndër vite në fondet e bibliotekës.
Në qendër të ekspozitës janë 89 botime të rralla, të botuara para Luftës së Dytë Botërore, të cilat iu dhuruan Bibliotekës Publike Fier në tetor të vitit 2022 nga Biblioteka Kombëtare dhe Ministria e Kulturës. Ky fond përbën një dëshmi me vlerë për historinë e librit dhe të shtypit shqip.
Ekspozita pasurohet me botime të autorëve fierakë, fotografi të vjetra të qytetit të Fierit dhe materiale që dokumentojnë aspekte të historisë, kulturës dhe traditave të trevës së Myzeqesë.
Ndër botimet e ekspozuara ka libra të shtypur në Manastir dhe Sofje në vitin 1912, si dhe botime të komuniteteve shqiptare në diasporë, veçanërisht në Boston dhe Bukuresht. Pjesë e fondit janë edhe botime të realizuara në Shkodër, Korçë dhe Tiranë, duke pasqyruar zhvillimin e shtypit dhe të librit në gjuhën shqipe.
Një vend të veçantë zënë botimet e hershme të autorëve shqiptarë si Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli dhe Sami Frashëri, tekstet shkollore të Kristo Dakos, si dhe përkthime nga autorë të letërsisë botërore.
Përmes këtij fondi të rrallë, ekspozita sjell në vëmendje jo vetëm historinë e librit, por edhe rolin e tij në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe kujtesës kombëtare.
“Në gjurmët e trashëgimisë” synon të afrojë publikun me këto dëshmi të rralla dhe të rikujtojë rëndësinë e bibliotekave si institucione që ruajnë, dokumentojnë dhe përcjellin trashëgiminë kulturore te brezat e rinj.