MBROJTJA NGA PËRMBYTJET, TENDER 2.3 MILIONË EURO PËR DEVOLLIN DHE OSUMIN.

Rreth 2.3 milionë euro do të investohen për mbrojtjen nga përmbytjet dhe gërryerjet në lumenjtë Devoll dhe Osum. Procedura e prokurimit përfshin tre zona, në Cërrik, Devoll dhe Berat, me një fond limit prej 228.9 milionë lekësh.

Tenderi është ndarë në tre lote, ku ndërhyrjet më të mëdha parashikohen në Bitinckë të Devollit dhe në lagjen Bejtollarët në Berat.

Loti i parë, me vlerë 31.9 milionë lekë, lidhet me mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Devoll në territorin e Bashkisë Cërrik. Projekti parashikon ndërhyrje në zonën e Desarës, me mbrojtje të brigjeve përmes gabioneve dhe blloqeve të betonit, si dhe riparimin e strukturave të dëmtuara.

Në një prej segmenteve do të ndërtohen 70 metra linearë mbrojtje me gabione, me lartësi 4 metra, ndërsa një tjetër segment parashikohet me gjatësi 100 metra.

Loti i dytë, me fond limit 94.7 milionë lekë, parashikon mbrojtjen nga gërryerjet në fshatin Bitinckë të Devollit. Ndërhyrja do të shtrihet në një gjatësi rreth 800 metra, ndërsa plani teknik parashikon rreth 787 metra mbrojtje gjatësore përgjatë bregut të lumit.

Strukturat do të realizohen me gurë masivë dhe gabione, me qëllim mbrojtjen e tokave bujqësore dhe brigjeve nga gërryerjet.

Ndërsa loti i tretë, me vlerë 102.3 milionë lekë, lidhet me mbrojtjen e krahut të majtë të lumit Osum në lagjen Bejtollarët në Berat.

Projekti synon të mbrojë zonën e banuar nga përmbytjet dhe erozioni, përmes sistemimit të brigjeve dhe ndërtimit të veprave mbrojtëse.

Punimet përfshijnë gabione, penela, mure mbajtëse dhe ndërhyrje të tjera hidroteknike, me synim stabilizimin e brigjeve dhe disiplinimin e rrjedhës së lumit.

Në këtë mënyrë, investimi synon të reduktojë rrezikun e përmbytjeve dhe dëmtimeve nga gërryerjet në disa prej zonave më të ekspozuara përgjatë Devollit dhe Osumit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033