Kuçova në skenën e kinemasë botërore, 80 deri në 100 filma në Festivalin Ndërkombëtar.

Kuçova në skenën e kinemasë botërore, 80 deri në 100 filma në Festivalin Ndërkombëtar.

Kuçova bëhet pjesë e hartës së kinemasë ndërkombëtare. Nga 13 deri më 18 tetor 2026, qyteti do të mirëpresë edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Independent, një aktivitet që synon të sjellë në Shqipëri produksione dhe histori nga e gjithë bota.

Interesi për këtë festival të ri kinematografik ka qenë i lartë. Mbi 3 mijë e 70 filma, nga më shumë se 120 shtete, kanë aplikuar për të qenë pjesë e tij, ndërsa vetëm 80 deri në 100 filma do të kualifikohen për fazën finale.

Për gjashtë ditë, Kuçova pritet të kthehet në një pikë takimi për kineastë, regjisorë dhe artdashës, duke sjellë histori, kultura dhe krijimtari nga të pesë kontinentet.

Për Bashkinë Kuçovë, ky festival përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore, por edhe një mundësi të veçantë për promovimin e qytetit dhe Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Aktiviteti organizohet nga Bashkia Kuçovë, nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Kreshnik Hajdari, në bashkëpunim me Production Cinemania dhe Open Vision.

Festivali mbështetet gjithashtu nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Për gjashtë ditë, vëmendja e botës së filmit do të zhvendoset në Kuçovë, duke i dhënë qytetit një profil të ri në kulturë dhe turizëm.

Nga mijëra aplikime të ardhura nga më shumë se 120 vende, deri te filmat që do të shfaqen në fazën finale, Kuçova synon të tregojë se edhe qytetet shqiptare mund të bëhen pjesë e skenës së madhe të kinemasë botërore.

Një festival i parë për Kuçovën, por një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar qytetin dhe Shqipërinë përmes artit, filmit dhe kulturës.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033