Të rinjtë interes për blegtorinë, 414 aplikime për mbështetje nga Skema Kombëtare.
Interesi i të rinjve për blegtorinë duket se po rritet. Të dhënat e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural tregojnë se 414 fermerë të rinj kanë aplikuar për mbështetje financiare nga Skema Kombëtare e Bujqësisë për vitin 2026.
Sipas AZHBR, aplikimet e fermerëve të rinj janë përqendruar kryesisht në tre kategori.
223 aplikime, ose 54 për qind e totalit, janë për blerje kafshësh. 164 aplikime, ose 40 për qind, janë për makineri bujqësore, ndërsa 27 aplikime, ose 6 për qind, janë për ndërtimin apo përmirësimin e strehimeve për kafshët.
Sipas institucionit, këto investime synojnë forcimin e fermave, rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zhvillimin e një bujqësie më moderne e konkurruese.
Një nga masat e reja të Skemës Kombëtare synon pikërisht fermerët e rinj, të cilët mund të përfitojnë grant deri në 10 milionë lekë, rreth 10 mijë euro, kryesisht për investime në sektorin e blegtorisë.
Mbështetje e veçantë parashikohet edhe për ndërtimin e staneve, me grant deri në rreth 3 milionë lekë, ndërsa për pajisje dhe makineri bujqësore mbështetja shkon deri në 500 mijë lekë. Në këtë kategori përfshihen edhe pajisje si tankerët për ruajtjen e qumështit dhe vajit të ullirit.
Në total, fondi në dispozicion përmes Skemës Kombëtare të Bujqësisë për vitin 2026 është 2.5 miliardë lekë.
Skema e këtij viti ka sjellë edhe ndryshime krahasuar me 2025-ën. Është rritur mbështetja për blegtorinë, ndërsa janë përgjysmuar pragjet për numrin e kafshëve në fermë, për përfitimin e subvencioneve.
Shifrat e aplikimeve tregojnë se një pjesë e fermerëve të rinj po e shohin blegtorinë dhe investimet në fermë si një mundësi për të ndërtuar aktivitetin e tyre në bujqësi.