Kodra feston rrënjët: Një natë që bashkoi fshatin.
Në Kodra Tepelenë, rrënjët nuk harrohen. Ato rikthehen çdo verë në kujtime, në këngë, në valle dhe në buzëqeshjet e njerëzve që, edhe pse jeta i ka larguar, zemrën e kanë ende aty.
Mbrëmjen e 8 gushtit, të rinjtë e fshatit organizuan takimin “Rrënjët nuk harrohen”, një mbrëmje që mblodhi banorë, familje dhe bij të kësaj zone, në një festë të mbushur me emocione dhe mall.
Për orë të tëra, rrugët dhe gurët e fshatit u gjallëruan nën tingujt e muzikës dhe isopolifonisë. Kënga mori vendin e heshtjes, ndërsa vallja bashkoi breza rreth historisë, kujtimeve dhe vendit ku shumë prej tyre kanë lënë fëmijërinë.
Në këtë mbrëmje, fjalën e përshëndetjes e mbajti biri i fshatit dhe administratori i Njësisë Qendër Tepelenë, Leonidha Shumeli, i cili përgëzoi të rinjtë për organizimin dhe për përpjekjen për të mbajtur gjallë rrënjët e fshatit dhe për t’i trashëguar ato tek brezat e rinj.
SINKRON – LEONIDHA SHUMELI
Sepse mund të ikim larg, të ndërtojmë jetë në qytete të tjera apo edhe përtej kufijve, por ka vende që nuk i lëmë dot kurrë pas.