OSSH synon uljen e humbjeve në 16.5% pas investimeve në rrjet

OSSH synon uljen e humbjeve në 16.5% pas investimeve në rrjet

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSSH, parashikon uljen e humbjeve në rrjet në 16.50%, nga rreth 16.96% në vitin 2025. Objektivi është pjesë e planit të investimeve për vitet 2026 dhe 2027, të paraqitur pranë Entit Rregullator të Energjisë.

Sipas dokumentacionit, investimet në linja, nënstacione, rrjetet e tensionit të mesëm dhe të ulët, si dhe sistemet e monitorimit, synojnë jo vetëm reduktimin e humbjeve, por edhe përmirësimin e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike.

OSSH parashikon ulje edhe të energjisë së pafurnizuar. Treguesi ENS pritet të jetë 33,873 MWh në vitin 2026 dhe 33,196 MWh në vitin 2027.

Përmirësim parashikohet edhe për treguesit e ndërprerjeve. SAIDI, që mat kohëzgjatjen mesatare të ndërprerjeve për klient, pritet të zbresë nga 36.07 në 35.35. Ndërsa SAIFI, që mat frekuencën mesatare të ndërprerjeve, parashikohet të ulet nga 21.72 në 21.28.

Sipas OSSH-së, plani i rishikuar i investimeve pritet të ndikojë pozitivisht në këta tregues, krahas uljes së humbjeve teknike, përmirësimit të cilësisë së tensionit dhe shkurtimit të kohës mesatare të riparimit.

Investimet përfshijnë edhe rikonstruksionin e nënstacioneve dhe rritjen e kapaciteteve transformuese, me synim uljen e rrezikut të mbingarkesave, veçanërisht në zonat me zhvillim urban, turistik dhe ekonomik.

Ndërkohë, fiderët e rinj dhe lidhjet unazore synojnë të krijojnë alternativa furnizimi në rast defektesh. OSSH thotë se treguesit do të monitorohen periodikisht gjatë zbatimit të planit të investimeve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033