Bypass-i i Sarandës, drejt lehtësimit të trafikut.

Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Sarandës kanë nisur prej muajsh dhe po vijojnë me ritme të shpejta. Projekti synon t’i japë zgjidhje një prej problemeve më të mëdha të qytetit, trafikut të rënduar, veçanërisht gjatë sezonit turistik, kur mijëra automjete hyjnë dhe dalin çdo ditë nga Saranda.

Me një gjatësi prej rreth 5 kilometrash, bypass-i do të krijojë një hyrje-dalje të re për qytetin, duke përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën rrugore dhe duke shmangur ngarkesën e qarkullimit në zonat urbane. Ky investim pritet të lehtësojë lëvizjen jo vetëm për banorët, por edhe për turistët vendas dhe të huaj që zgjedhin jugun e Shqipërisë si destinacion pushimesh.

Një nga elementët më të rëndësishëm të projektit është ndërtimi i një tuneli 750 metra të gjatë, një vepër inxhinierike që do të rrisë standardet e sigurisë dhe do të shkurtojë kohën e udhëtimit drejt qytetit.

Bypass-i i Sarandës konsiderohet një aks strategjik për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e qarkullimit në jug të vendit. Gjatë muajve të verës, kur fluksi i automjeteve arrin kulmin, ky segment pritet të shmangë bllokimet e gjata të trafikut dhe të ofrojë një akses më të shpejtë e më të sigurt drejt qytetit dhe zonave turistike përreth.

Me përfundimin e punimeve, bypass-i pritet të ndryshojë ndjeshëm mënyrën e lëvizjes në Sarandë, duke e bërë një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore për jugun e Shqipërisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033