Tendera pa fund për mirëmbajtje rrugësh, por akset mbeten pa vijëzim në kulmin e sezonit turistik.

Shqipëria po përjeton kulmin e sezonit turistik, me një numër vizitorësh që pritet të arrijë në rreth gjashtëfishin e popullsisë së vendit. Rreth 66.3% e tyre hyjnë në vend nga pikat kufitare tokësore me automjetet personale. Megjithatë, në shumë prej akseve kryesore, drejtuesit e mjeteve përballen me një problem serioz: mungesën e vijëzimit horizontal dhe të sinjalistikës bazë.

Në kulmin e lëvizjes së automjeteve, rrugët e pavijëzuara shtojnë rrezikun e aksidenteve, veçanërisht gjatë natës apo në kushte të pafavorshme atmosferike. Mungesa e vijave ndarëse krijon pasiguri në qarkullim dhe vështirëson orientimin e drejtuesve të mjeteve.

Problemi prek edhe automjetet moderne të turistëve të huaj. Sisteme sigurie si Lane Assist, që ndihmojnë në mbajtjen e korsisë, dalin jashtë funksionit kur mungojnë vijat ndarëse në rrugë.

Nga ana tjetër, edhe sinjalistika vertikale shpesh krijon konfuzion. Në shumë segmente, tabelat e kufizimit të shpejtësisë vendosen çdo 200 deri në 300 metra, me ndryshime të shpeshta dhe pa një logjikë të qartë teknike.

Ndërkohë, autoritetet kanë investuar në kamera inteligjente dhe monitorim me dronë për kontrollin e qarkullimit. Por ekspertët theksojnë se, përpara se të rriten masat ndëshkuese, duhet të plotësohen standardet bazë të infrastrukturës rrugore.

Çdo muaj, përmes sistemit të prokurimeve publike, hapen tendera me vlera prej miliona eurosh për mirëmbajtjen e rrugëve. Megjithatë, në terren mungojnë elementët më bazikë të sigurisë. Në kulmin e sezonit turistik, mbetet ende pa përgjigje pyetja: ku përfundojnë fondet e destinuara për mirëmbajtjen e akseve rrugore?

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033