Në këto ditë të nxehta vere, Kuçova ofron një pamje ndryshe. Gjelbërimi, lulet shumëngjyrëshe, pemët dekorative dhe hapësirat e sistemuara publike i japin qytetit një atmosferë të qetë dhe mikpritëse.
Pamjet e filmuara në parkun qendror, përgjatë rrugicave, trotuareve dhe lulishteve tregojnë një qytet ku natyra dhe infrastruktura bashkëjetojnë në harmoni. Bredhat dekorativë, lulet kacavjerrëse, pemët e mbjella në lagje dhe sipërfaqet e gjelbëruara janë kthyer në një identitet të ri për Kuçovën.
Një nga pikat më tërheqëse mbetet edhe avioni i vendosur në sheshin kryesor të qytetit, pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve. Ky simbol i historisë së aviacionit shqiptar është shndërruar në një pikë referimi për qytetarët dhe vizitorët, duke i dhënë më shumë vlerë një qyteti që njihet jo vetëm për traditën e naftës, por edhe për historinë e aviacionit ushtarak.
Në çdo cep të qytetit bien në sy investimet në gjelbërim. Lulet sezonale të mbjella në lulishtet qendrore, pemët dekorative përgjatë rrugëve, stolat e rinj dhe mjediset çlodhëse krijojnë hapësira ku qytetarët zgjedhin të kalojnë orët e pasdites, larg temperaturave të larta.
Parku i ri i qytetit është kthyer në një nga vendet më të frekuentuara. Familje, të rinj dhe të moshuar shëtisin mes gjelbërimit, ndërsa fëmijët argëtohen në këndet moderne të lojërave. Hapësirat rekreative u japin jetë lagjeve dhe krijojnë një mjedis më të shëndetshëm për komunitetin.
Kujdesi për mirëmbajtjen e gjelbërimit dhe shtimin e sipërfaqeve të mbjella ka qenë një nga prioritetet e Bashkisë Kuçovë. Nën drejtimin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, investimet në mjediset publike kanë vijuar paralelisht me projektet infrastrukturore, duke synuar jo vetëm përmirësimin e pamjes së qytetit, por edhe rritjen e cilësisë së jetesës.
Sot, Kuçova paraqitet si një qytet i pastër, me më shumë oksigjen, më shumë hapësira çlodhëse dhe më shumë gjelbërim. Një qytet ku investimet në mjedis dhe hapësirat publike kanë krijuar një tjetër standard jetese, duke e bërë atë më tërheqës si për banorët, ashtu edhe për vizitorët që zgjedhin ta vizitojnë në çdo stinë të vitit.