Poshnjë, fermerët përballë mungesës së ujit për vaditje. Kanalet të papastruara, tokat rrezikojnë prodhimin.

Edhe këtë sezon veror, mungesa e ujit për vaditje mbetet një nga problemet më të mëdha për fermerët e Njësisë Administrative Poshnjë, në Bashkinë Dimal. Pamjet e filmuara tregojnë kanalet vaditëse të papastruara, ndërsa uji mungon në parcelat bujqësore pikërisht në kulmin e nevojës për vaditje.

Fshatrat Poshnjë, Polizhan, Banaj, Syzez, Gajdë dhe Qamicë shtrihen përgjatë lumit Osum, i cili pasi bashkohet me lumin Devoll formon lumin Seman. Megjithëse ndodhen pranë një prej burimeve më të mëdha ujore të zonës, fermerët thonë se prej vitesh nuk arrijnë të sigurojnë ujë për të vaditur tokat e tyre.

Misri, pemët frutore dhe kulturat e tjera bujqësore po përballen me temperaturat e larta dhe mungesën e ujit, ndërsa në shumë parcela toka është tharë dhe ka nisur të çahet. Fermerët shprehen se pa pastrimin e kanaleve vaditëse dhe funksionimin e sistemit të ujitjes, prodhimi i këtij sezoni rrezikohet seriozisht.

Ndërkohë që Bashkia Dimal promovon në rrjetet sociale investime dhe projekte të ndryshme, banorët e kësaj zone kërkojnë zgjidhjen e një problemi jetik për bujqësinë. Ata thonë se çdo fushatë elektorale shoqërohet me premtime për rikthimin e ujit në kanalet vaditëse, por në terren situata mbetet e pandryshuar.

Fermerët jashtë kamere kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e kanaleve dhe garantimin e ujit për vaditje, në mënyrë që mundi dhe investimet e tyre të mos shkojnë dëm në kulmin e sezonit bujqësor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033