Kallamishte, ferra dhe kanale të bllokuara. Fermerët e zonës së Fiersheganit përballen me mungesën e ujit për vaditje në kulmin e sezonit veror.
Jemi në sezonin veror dhe nevoja për ujë në tokat bujqësore është më e madhe se në çdo periudhë tjetër të vitit. Megjithatë, këto pamje të filmuara nga kamera e TV Apollon tregojnë një realitet krejt ndryshe.
Bëhet fjalë për një kanal kullues dhe një kanal vaditës, përgjatë rrugës kryesore nga Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë, në drejtim të fshatrave Thanë dhe Cinarë. Të dy kanalet janë të mbuluara nga kallamishtet, ferrat dhe bimësia e dendur, duke e bërë të pamundur funksionimin normal të tyre.
Fermerët e kësaj zone shprehen të shqetësuar, pasi në kulmin e sezonit të vaditjes mungon uji në kanalet që duhet të furnizojnë tokat bujqësore. Paradoksi është se vetëm pak metra më pranë kalon kanali kryesor që furnizohet nga rezervuari i Thanës për vaditjen e tokave të Myzeqesë, ndërsa në parcelat e fermerëve, më pak se një kilometër larg, uji nuk mbërrin.
Sipas banorëve, pastrimi i kanaleve nuk është kryer përpara nisjes së sezonit veror. Madje, në disa raste, persona të paidentifikuar u kanë vënë zjarrin kallamishteve, në përpjekje për të pastruar kanalet, duke krijuar edhe rrezik për kulturat bujqësore.
Për shkak të kësaj situate, fermerët detyrohen të vadisin tokat me mjete mekanike, duke rritur ndjeshëm kostot e prodhimit. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit kullues e vaditës, në mënyrë që tokat bujqësore të mos mbeten pa ujë në kulmin e sezonit të punimeve.