Në Labinot Mal të Elbasanit u zhvillua ceremonia përkujtimore me rastin e 83-vjetorit të formimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Veprimtaria u mbajt pranë shtëpisë së Sami Bahollit, ku më 10 korrik 1943 u krijua Shtabi i Përgjithshëm, duke shënuar një etapë vendimtare në organizimin dhe drejtimin e rezistencës së armatosur shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, komandant i Shtabit u zgjodh Spiro Moisiu, ndërsa komisar politik Enver Hoxha.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të pushtetit vendor të Elbasanit, drejtues të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare “Nderi i Kombit”, veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë. Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Njësisë Administrative Labinot Mal, Ylber Kuçi, ndërsa përshëndetën veprimtarinë nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, kryetarja e Komitetit Kombëtar të OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”, Vera Tarifa, si dhe përfaqësues të tjerë.
Gjatë ceremonisë, Sekretari i Përgjithshëm i OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”, Veli Myftari, ndau certifikata mirënjohjeje për Asim Elezin dhe Ilir Bellon, në vlerësim të kontributit të tyre për ruajtjen dhe promovimin e vlerave historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në këtë aktivitet u përkujtuan me nderim edhe 11 dëshmorët e LANÇ-it të fshatit Labinot Mal.
Pjesëmarrësit shprehën besimin se vitin e ardhshëm kjo datë historike do të përkujtohet në shtëpinë e rikonstruktuar të familjes Baholli, e cila synohet të shndërrohet në muze të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe në një qendër të rëndësishme të turizmit historik për zonën e Labinot Malit.