Policia Bashkiake e Lushnjës rikthen kontrollet në terren: masa ndaj tregtarëve që shkelin ligjin.

Policia Bashkiake e Lushnjës ka intensifikuar kontrollet në terren, duke vijuar zbatimin e ligjit dhe të kompetencave që i ngarkon legjislacioni në fuqi.

Gjatë ditës së mërkurë, nën drejtimin e strukturave drejtuese, efektivët zhvilluan një kontroll rutinë në aksin kryesor rrugor Lushnjë – Rrethrrotullimi i Çermës dhe në drejtimin e kundërt. Objekt i kontrollit ishin tregtarët që ushtrojnë aktivitet në anë të këtij aksi rrugor, në kundërshtim me rregullat e përcaktuara.

Sipas Policisë Bashkiake, këto subjekte ishin paralajmëruar edhe më parë dhe ndaj një pjese të tyre ishin vendosur masa administrative. Tregtimi pranë autostradës konsiderohet shkelje e rregullave dhe njëkohësisht rrezik për sigurinë rrugore, pasi mund të bëhet shkak për aksidente.

Gjatë kontrollit, efektivët u kërkuan tregtarëve të largonin menjëherë mallrat nga hapësirat e zëna në mënyrë të paligjshme, ndërsa paralajmëruan se kontrolle të tilla do të zhvillohen në mënyrë të vazhdueshme. Qëllimi i këtyre aksioneve është garantimi i sigurisë për drejtuesit e mjeteve dhe respektimi i rregullave që mbrojnë interesin publik.

Institucionet përgjegjëse theksojnë se kontrollet do të vijojnë në zbatim të vendimeve të miratuara nga Këshilli Bashkiak i Lushnjës, me synim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme dhe garantimin e rendit e sigurisë.

Policia Bashkiake apelon që çdo subjekt tregtar të respektojë ligjin dhe të ushtrojë aktivitetin vetëm në hapësirat e autorizuara, duke bërë të qartë se masat ndaj shkelësve do të zbatohen pa kompromis.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033